Përcaktimi
Tumoret që evidentohen në kocka mund të jenë:
- Tumore që e kanë origjinën në vetë kockën
- Tumore që e kanë origjinën në palcën e kockave (psh. Leuçemitë)
- Metastazat kockore (përhapja e një tumori malinj të një organi tjetër në organe të tjera në distancë, ndër të cilat edhe në kocka).
Kanceri i kockave, pra tumori malinj që zhvillohet në kocka, shfaqet relativisht rrallë (në 1-5 raste në 100.000 persona). Diagnostikimi i vonshëm i tij shoqërohet shpesh nga një ecuri jo e favorshme.
Shkaqet
Tumoret që zhvillohen në vetë kockën (tumoret kockore parësore)
Format më të përhapura të tumoreve kockore parësore janë: osteosarkoma (sarkoma kockore), kondrosarkoma dhe sarkoma Eving.
- Osteosarkoma dhe sarkoma Eving përfaqësojnë një shtim të qelizave kockore, ndërkohë që kondrosarkoma është një shkatërrim i qelizave kërcore. Sarkoma Eving është tumori kockor më i shpeshtë tek fëmijët. Tumoret malinje të kockave shfaqen shpesh në nivelin e gjymtyrëve të poshtme. Shkaku i tyre mbetet ende i paqartë. Personat e prekur nga sëmundja e Pexhet (sëmundje kockore, me shumë gjasa e shkaktuar nga një virus dhe që çon në rritje kockore jonormale dhe keqformime) shfaqin një shkallë më të lartë të rrezikut për të zhvilluar osteosarkomë. Tumori beninj i kërcit kockor tepër rrallë mund të japë kondrosarkomë. Tumoret e kockave, si çdo tumor tjetër, mund të përhapen në organe të tjera, veçanërisht në mushkëri.
Tumoret që e kanë origjinën në palcën e kockave
Kanceret e gjakut dhe nyjeve limfatike shkaktojnë shumëzim qelizor në nivelin e palcës kockore. Forma më e shpeshtë e tyre janë ato që shkatërrojnë qelizat e sistemit mbrojtës të organizmit, ku përfshihet plazmocitoma ose mieloma e shumëfishtë.
Metastazat kockore (metastazat e skeletit)
Në këtë rast, tumori parësor gjendet në një organ tjetër dhe, nëpërmjet qarkullimit të gjakut, ka lëshuar metastaza në organet e tjera në distancë, ndër të cilat edhe në kocka. Përgjithësisht, bëhet fjalë për kancerin e gjirit, kancerin e prostatës, kancerin e mushkërisë ose kancerin e gjendrës tiroide.
Simptomat
- Dhimbje kockore të përhapura
- Fryrje lokale (në zonën e tumorit), ndonjëherë zmadhim i nyjeve limfatike
- Shenjat e inflamacionit (skuqje, enjtje, nxehtësi lokale)
- Rënie në peshë
- Ulje e rendimentit fizik dhe mendor
- Thyerje spontane ose pas një lëndimi minimal të kockave
- Paraliza të mundshme, në rast se tumori është shtrirë në indet përreth.
Diagnoza
Diagnoza e kancerit të kockës përcaktohet duke u bazuar në:
- Simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre
- Egzaminimin trupor të imtësishëm
- Analizat e gjakut
- Egzaminimin radiografik
- Egzaminimin ekografik
- Skaneri ose rezonanca magnetike
- Shintigrafia e kockave
- Angiografia
- Biopsia
Trajtimi
Trajtimi i metastazave kockore, kancereve të gjakut dhe të sistemit limfatik bëhet në varësi të sëmundjes kryesore.
- Osteosarkoma: Kimioterapi agresive, operacion kirurgjikal për të hequr masën tumorale.
- Kondrosarkoma: Trajtimi kryesor është ai kirurgjikal.
- Sarkoma e Eving: Radioterapi, kimioterapi dhe operacion kirurgjikal.
Ndërlikimet e mundshme
Në rastin e metastazave kockore, ecuria varet nga stadi i zhvillimit të tumorit parësor.
- Kur tumori zhvillohet në nivelin e indeve përreth, ai mund të shkaktojë paraliza dhe dhimbje të forta.
- Thyerjet kockore patologjike
Ndërlikimet e lidhura me operacionin:
- Infeksionet
- Gjakderdhjet
- Dëmtimet e nervave
- Prerja e gjymtyrës së prekur
- Trombozat dhe embolitë