Sherbimet Mjeksore

Goditja ne tru ,si ta dalloni dhe ta parandaloni

Goditja në tru është një gjendje që ndodh kur furnizimi me gjak i trurit zvogëlohet si rezultat i bllokimit (goditje ishemike e trurit) ose këputjes apo shpërthimit të enës së gjakut (goditje hemorragjike e trurit). Pa gjak, truri nuk mund të marrë oksigjen dhe lëndë ushqyese, kështu që qelizat në zonën e prekur të trurit së shpejti mund të vdesin.

Cardiovascular Picture

Goditja në tru

Goditja në tru është një gjendje serioze, kërcënuese për jetën që kërkon vëmendje të menjëhershme mjekësore, sepse qelizat e trurit mund të vdesin në vetëm pak minuta. Vdekja e qelizave të trurit bën që pjesët e trupit të kontrolluara nga zona e dëmtuar e trurit të mos funksionojnë. Trajtimi i shpejtë mund të minimizojë nivelin e dëmtimit të trurit dhe mundësinë e komplikimeve.

Për sa i përket shkallës së vdekshmërisë, goditja në tru është në vendin e tretë menjëherë pas sëmundjeve të zemrës dhe kancerit. Në fillim të shekullit 21, pothuajse 1.1 milion njerëz në Evropë përjetojnë goditje çdo vit dhe 80% e tyre janë goditje ishemike.

Goditja në tru mund të ndodhë në të gjitha grupmoshat, por është më e zakonshme tek pacientët mbi moshën 65 vjeç, megjithëse përqindja tek të rinjtë është rritur kohët e fundit, duke treguarse nevojitet një strategji më e mirë parandaluese.

Pse ndodh goditja në tru?

Sepse 1.9 milion qeliza nervore të trurit vdesin në minutë. Bllokimi i arteries kryesore të madhe të trurit çon në 120 milionë qeliza të vdesin në 1 orë dhe në rast mos zhbllokimi të arteries, riperfuzionit të zonës çdo 30 minuta, probabiliteti i përmirësimit pas goditjes ulet me 10%.

Pasojat e goditjes në tru

Pasojat e goditjes në tru çojnë në invaliditet të rëndë. Edhe pse goditja shfaqet papritur dhe zhvillohet shumë shpejt, kjo ndodh si pasojë e një mosfunksionimi që ka zgjatur me dekada. Goditja ishemike (p.sh. goditja e shkaktuar nga bllokimi i enës së gjakut në tru) shoqërohet me një numër faktorësh rreziku, veçanërisht hipertensionin, kolesterolin e ngritur, diabetin, obezitetin, aritminë dhe pirjen e duhanit. Sa më shumë faktorë rreziku të jenë të pranishëm, aq më të mëdha janë shanset për të pësuar goditje në tru.

Simptomat

Është e rëndësishme që të gjithë të njihen me simptomat e goditjes në tru. Kjo i shërben atyre dhe njerëzve të tyre të afërt. Shenjat e para se si të dallojmë një person të prekur nga goditja janë:

  • Probleme me të folurin dhe të kuptuarin. Ndodh kur një person shfaq shenja në mos artikulimin e fjalëve në formën e duhur apo vonesë në të kuptuar, konfuzitet dhe përhumbje.
  • Paralizë e gjysmës së fytyrës, këmbës apo dorës. Kjo ndodh kur papritmas një person ndjen mpirje, këputje, paralizë të fytyrës, krahut apo këmbës. Zakonisht kjo ndodh në një pjesë të trupit të pacientit që ka pësuar goditje. Për të kuptuar nëse kjo është një goditje në tru, provoni të ngrini sipër kokës të dy krahët. Nëse njëri prej tyre bie poshtë dhe nuk e komandoni dot mund të jetë një shenjë e goditjes në tru.
  • Probleme me shikimin; me një ose të dy sytë. Papritur personi i prekur nga goditja mund të ketë shikim të turbullt, errësirë apo shikim të dyfishtë në njërin apo në të dy sytë.
  • Dhembje koke. Dhembja e kokës është një shenjë e goditjes në tru gjithashtu. Dhembja e kokës fillon duke u shoqëruar me të vjella dhe marrje mendsh.
  • Vështirësi në të ecur. Të prekurit nga goditja në tru humbin ekuilibrin në qëndrim dhe ecje.

Kur duhet të njoftojmë urgjencën?

I prekuri nga goditja ka nevojë për trajtim të menjëhershëm. Drejtojuni mjekut edhe nëse vëreni që shenjat janë zhdukur. Është e rëndësishme të kryeni testet si më poshtë:

  • Kërkojini personit të buzëqeshë; vëreni nëse njëra anë e buzës bie.
  • Krahët. Ngritja e krahëve njëkohësisht; vëreni nëse ai rrëzohet pavetëdije.
  • E folura. Tentoni të flisni me personin që dyshoni se ka pësuar goditje. Vëreni nëse e folura e tij është e paqartë dhe e çuditshme.

Nëse një i afërmi juaj shfaq këto shenja, mos prisni që simptomat të kalojnë, por menjëherë drejtohuni qendrës së urgjencës. Çdo minutë kushton, sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë rritet risku i vdekjeve nga goditja në tru.

Diagnoza

Diagnoza bëhet në bazë të pamjes klinike, gjendjes neurologjike, metodave neuro-imazherike si tomografia e kompjuterizuar, me karotidografi dhe rezonancë magnetike, sonografi Doppler të karotideve dhe artereve vertebro-bazilare.

Trajtimi

Trajtimi mund të jetë konservativ ose kirurgjik, i plotësuar me terapi fizike për rehabilitim më të shpejtë.

Kujdesi pas goditjes në tru

Kujdesi pas goditjes në tru mund të përfshijë:

  • Ekzaminim për të gjetur llojin e goditjes, vendin e dëmtimit dhe sa e rëndë është goditja (vendosja e diagnozës).
  • Skanim i trurit sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndihmuar në përcaktimin e diagnozës.
  • Marrja e ilaçeve për të holluar mpiksjen e gjakut (tromboliza). Tromboliza nuk ofrohet gjithmonë, vetëm një numër i vogël pacientësh mund ta marrin atë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore pas goditjes në tru me qëllim për të vepruar/ndikuar.
  • Testi i gjakut për të kontrolluar nivelin e sheqerit dhe kolesterolit në gjak.
  • Rekomandimi i ilaçeve për uljen e presionit të gjakut dhe kolesterolit, si dhe tableta për të zvogëluar rrezikun e mpiksjes së gjakut si Aspirina dhe Clopidogrel dhe antikoagulantët oralë dhe parenteralë si warfarin.

Problemet pas goditjes në tru

Pas goditjes në tru mund të shfaqen problemet e mëposhtme:

  • Vështirësi në lëvizje dhe ecje.
  • Vështirësi në gëlltitje dhe ngrënie.
  • Vështirësi në të folur, të shkruar dhe kuptuar.
  • Vështirësi në kontrollin e fshikëzës ose zorrës së trashë.
  • Humbje të ndjesisë (plotësisht ose vetëm në njërën anë të trupit).
  • Humbje të dëgjimit, shijes ose aromës.
  • Efekte emocionale dhe psikologjike.

Rehabilitimi mund të kërkojë një kohë të gjatë në varësi të ashpërsisë së goditjes.