Sherbimet Mjeksore

Cistiti

Cistiti është inflamacion (infeksion, pezmatim) i mukozës së fshikëzës urinare. Është më i shpeshtë tek femrat sesa tek meshkujt, për shkak se kanali urinar i femrave (uretra) është më i shkurtër sesa i meshkujve, gjë që rezulton më depërtim më të lehtë të bakterieve në fshikëzen urinare.

urologjia

Shkaktarët

Në bazë të shkaktarëve etiologjikë cistiti ndahet në dy lloje:  Cistiti infektiv Cistiti infektiv është lloji më i shpeshtë dhe shkaktohët si pasojë kolonizimit të traktit urinar nga bakteret patogjene. Shkaktarët më të shpeshtë janë: E.coli, Proteus, Enterobakter dhe Klebsiella. Rruga më e shpeshtë e depërtimit të këtyre baktereve në traktin urinar është e ashtuquajtura rruga ascendente (ngjitëse), ku bakteret si pasojë e higjienës jo të mirë perianale nga zorra e trashë depërtojnë në fshikëzen urinare përmes kanalit urinar (urethra). Rrugë më e rrallë e infektimit të fshikëzës urinare është përhapja e bakterëve nga ndonjë fokus infeksioni në organizëm (si abces, sinuzit, otit etj…) përmes gjakut deri në fshikëzen urinare (e ashtuquajtura përhapja hematogjene).  Cistiti jo-infektiv Cistiti jo-infektiv është lloj më i rrallë i cistitit dhe shkaktohët si pasojë e irritimit të mukozës së fshikëzës urinare nga disa lloje të barnave, rrezatimit jonizues, kemikateve të ndryshme etj.

Faktorët e rrezikut

Faktorët që lehtësojnë infeksionin e fshikëzes urinare janë:
• Pengesat në rrjedhjen e urinës (gurët në fshikëz,tumorët,rritja e prostatës, ngushtimi i uretrës)
• Dobësimi i imunitetit (tek diabetikët,të sëmurët nga AIDS, përsonat e sëmurë nga kanceri)
• Përdorimi i zgjatur i kateterit urinar

Pasqyra klinike

Cistiti mund të manifestohet me disa nga këto simptoma klinike:
• urgjencë për urinim
• djegie gjatë urinimit
• urinim i shpeshtë dhe i pakët
• urinim me gjak (hematuri)
• urinë me pamje të turbullt dhe me erë të pakëndshme
• pa rehati dhe ndjesi presioni në pjesën e poshtme te barkut
• ngritje e lehtë e temperatures
• urinim i pavullnetshëm (tek fëmijët)

Diagnostikimi

Diagnostikimi i cistiteve bazohet në disa teste dhe ekzaminime, të cilat si të vetme ose të kombinuara mundësojnë diagnozën. Për këtë qëllim më së shpeshti përdoren:
• Marrja korrekte e anamnezës dhe të dhënave për pasqyrën klinike
• Analizë urine (shikohet për prani të bakterieve, qelizave te bardha dhe te kuqe të gjakut në urinë)
• Urokultura (kultivimi i urinës në terrene ushqyese për të vërtetuar rritjen ose jo te kolonive të bakterieve)
• Cistoskopia (ekzaminim i fshikëzës urinare me një pajisje në formë gypi në majën e së cilit gjendet kamera dhe një burim drite, imazhet e së cilës mund të shihen në ekran dhe mund të regjistrohen në CD)
• Grafia dhe Ultrasoundi i traktit urinar (në rastet kur dyshohet për praninë e gurëve, tumoreve ose obstruksioneve te traktit urinar)

Mjekimi

Masat farmakologjike përfshijnë terapinë me antibiotikë, analgjeziko-antipiretikë dhe kompensim të lëngjeve të humbura në rastet me temperaturë. Më së shumti përdoren flurokinolonet, nitrofurantoina, fosfomicina, trimetoprim-sulfometaxasol etj. Kurse në masat jo-farmakologjike bëjnë pjesë: vendosja e fashave të ngrohta në pjesën e poshtme të barkut, pirja e sasive më të mëdha të ujit (hidratimi më i madh) dhe banjo ujore në ujë të ngrohtë (në pozitë të ulur). Cistitet jo-infektive mjekohen me largim të shkaktarit bazë.

Komplikacionet

Cistitet nëse mjekohen në mënyrën e duhur, rrallëherë japin komplikacione. Por mosmjekimi ose mjekimi jo i duhur i tyre mund të shkaktojë zgjerimin e infeksionit në pjesën e sipërme të traktit urinar (infeksion që njihet si pielonefritis) me ç’rast mund të dëmtohet edhe parenkima e veshkave që rezulton me zvogëlim ose humbje të funksionit të tyre.

Parandalimi

Keto jane disa këshilla, të cilat mendohet që ndikojnë në zvogëlim ose parandalim të infeksioneve të fshikëzes urinare:
• Urinimi në kohën e duhur,sapo të vije ndjesia për urinim (mos e shtyni urinim për më vonë)
• Pirja e sasive të mëdha të ujit (mbi 2 litra brenda ditës)
• Mbajta e higjienës përsonale në regjionin uro-gjenital dhe perineal
• Mospërdorimi i sprejeve të ndryshëm deodorantësh në regjionin urogjenital