Gjaku në urinë mund të shkaktohet nga acarimi i mukozës si pasojë e një infeksioni ose nga gurët urinarë. Prania e gjakut në urinë nuk është normale dhe duhet të përcaktohet sa më parë origjina e tij.
Si manifestohet kjo simptomë?
Gjaku në urinë (termi mjekësor: hematuria) korrespondon me një rritje të pranisë së gjakut, më saktësisht të qelizave të kuqe të gjakut, në urinë.Në varësi të dukshmërisë së gjakut me sy të lirë, ekzistojnë dy forma të hematurisë: Mikrohematuria: gjaku nuk është i dukshëm me sy të lirë, qelizat e kuqe të gjakut mund të zbulohen vetëm nën mikroskop ose duke përdorur një test strip. Në shumicën e rasteve, mikrohematuria është një zbulim i mundshëm gjatë një kontrolli rutinë.
Makrohematuria: gjaku është i dukshëm me sy të lirë (urina me ngjyrë rozë në të kuqe të errët).
Humbja e gjakut në urinë mund të jetë pa dhimbje ose e dhimbshme (me djegie). Simptomat shoqëruese: djegie ose urinim i dhimbshëm, qelb në urinë, urinim i shpeshtë me sasi të vogla të urinës (pollakiuria), vështirësi në urinim (dizuri), dhimbje shpine ose barku (si tërheqje, thikë, presion ose dhimbje barku), dobësim i gjendjes së përgjithshme, temperaturë e lartë, dridhje.
Cilat janë sëmundjet që shkaktojnë këtë simptomë?
Prania e gjakut në urinë mund të ketë disa shkaqe. Infeksionet e rrugëve urinare janë shumë të zakonshme, megjithatë shkak mund të jenë gjithashtu edhe gurët në veshka, sëmundja tumorale e veshkave ose e fshikëzës urinare, apo sëmundje si diabeti i sheqerit. Dhimbja gjatë urinimit tregon se është më shumë një infeksion i traktit urinar, nga ana tjetër humbja e gjakut pa dhimbje flet më shumë në favor të kancerit. Tek të rinjtë, hematuria është shpesh kalimtare, e padëmshme dhe nuk mund të shpjegohet.Shkaqet e hematurisë që lidhen me veshkat dhe traktin urinar:
• Cistiti (inflamacion i fshikëzës urinare)
• Kanceri i fshikëzës urinare
• Gurët e fshikëzës urinare
• Infeksioni i traktit urinar, i traktit uro-gjenital
• Gurët në veshka (nefrolitiaza)
• Inflamacioni i veshkave (Glomerulonefriti)
• Inflamacioni i pieloneve (Pielonefriti)
• Kanceri i veshkave
• Lëndimi i organeve urinare pas një traume ose ekzaminimi (për shembull nga kateteri i fshikëzës)
• Kistet e veshkave
Shkaqe të tjera të gjakut në urinë:
• Inflamacioni i prostatës (Prostatiti)
• Hiperplazia beninje e prostatës
• Kanceri i prostatës
• Endometrioza
• Diabeti i sheqerit
• Pas një operacioni urologjik (fshikëza, prostata, uretrat, veshkat)
• Stresi fizik, për shembull një maratonë
• Çrregullime të mpiksjes së gjakut, të tilla si hemofilia
• Efekte dytësore të medikamenteve (si holluesit e gjakut)
• Përzierje e urinës me gjak gjatë menstruacioneve ose pas seksit
• Ngjyrosja e kuqe e urinës e shkaktuar nga ushqime të caktuara si panxhari, manaferrat.
Si të veproni?
Gjaku në urinë mund të shmanget vetëm pjesërisht. Theksi vendoset në parandalimin e faktorëve të rrezikut për sëmundje të caktuara që mund të çojnë në hematuri.Këto masa përfshijnë:
• Infeksionet e traktit urinar: pini në mënyrë të vazhdueshme shumë ujë, lëngje frutash të holluara ose çajra bimore pa sheqer (3-4 litra në ditë). Kjo ndihmon në eliminimin e baktereve. Shmangni alkoolin, kafenë dhe çajin e zi. Urinoni rregullisht dhe zbrazni plotësisht fshikëzën e urinës (për femrat para dhe pas seksit), mbani higjienë të mirë intime (duke u fshirë në drejtimin nga përpara prapa).
• Gurët në veshka: pini shumë ujë, kufizoni konsumin e produkteve që nxisin formimin e gurëve (kripë kuzhine, mish, vezë, ushqime që përmbajnë oksalate kalciumi,siç janë spinaqi, arrat, panxhari).
• Kanceri i fshikëzës urinare: shmangni faktorët e rrezikut si pirja e duhanit, kontakti në punë me kimikate kancerogjene, pini shumë lëngje (substancat toksike zbërthehen më mirë dhe më pas nxirren jashtë)
• Kanceri i veshkave: shmangni nikotinën, rrëzoni peshën e tepërt, ushqehuni shëndetshëm, ushtrohuni rregullisht dhe shmangni kontaktin me substanca toksike.
Egzaminimet mjekësore
Për të krijuar një tablo të qartë të problemeve aktuale dhe shkaqeve të mundshme, së pari është e nevojshme të njihet historia mjekësore (anamneza) dhe të kryhet një ekzaminim klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpimi, auskultimi, teste funksionale, etj). Nga historiku dhe ekzaminimi klinik, mund të nevojiten analiza të tjera specifike.Anamneza
Pyetje në lidhje me gjakun në urinë: që kur ka filluar, sasia, ngjyra e gjakut (e kuqe e lehtë, e kuqe e errët), ethe, dhimbje ose probleme të tjera me urinimin, etj.Simptomat shoqëruese
Sëmundjet shoqëruese, historia mjekësore, përfshirë aksidentet dhe operacionet • Marrja e mundshme e medikamenteve• Alergjitë
• Kushtet e jetesës, punës dhe shoqërisë
• Stili i shëndetshëm i jetesës: ushqimi, gjumi, produktet stimulante (kafe, alkool, duhan, droga), stresi, etj.
Ekzaminimi klinik
Maten presioni i gjakut, pulsi dhe temperatura e trupit dhe palpohen stomaku dhe zonat e veshkave për të zbuluar zona të dhimbshme. Tek burrat, do të bëhet një prekje e prostatës përmes rektumit.Diagnostikime te tjera / Ekzaminime specifike
• Testi i gjakut: formulae gjakut, funksioni i veshkave• Analiza e urinës
• Ekografia e veshkave dhe traktit urinar
• Ekzaminimi gjinekologjik dhe urologjik
• Ekzaminimet imazherike: radiografi e traktit urinar me kontrast (urografi)
• Cistoskopia
• Biopsia
• Më shumë informacion në lidhje me diagnozën mund të gjendet në temat e sëmundjeve përkatëse.
• Trajtimi mjekësor
• Trajtimi i gjakut në urinë (hematurisë) varet nga shkaku. Kur trajtohet shkaku, gjaku në urinë zakonisht shkon vetë.
Disa shembuj:
Infeksionet bakteriale (për shembull, infeksionet e traktit urinar) trajtohen me antibiotikë. Pirja e shumë lëngjeve ndihmon në shërimin e tyre.
Në rast të gurëve në veshka ose fshikëzës urinare, me dhimbje të forta (dhimbje barku), do të administrohen analgjezikë të fortë antispastikë (qetësues të dhimbjeve, që lirojnë shtrëngimet). Pirja e shumë lëngjeve dhe ecja ndihmon në eliminimin e gurëve të vegjël Kalimi i gurëve më të mëdhenj është i vështirë dhe zakonisht kërkon copëtim cistoskopik të gurit dhe më pas fragmentet do të hiqen.
Nëse hematuria ka të bëjë me marrjen e ilaçeve holluese të gjakut, terapia antikoagulante duhet të ndërpritet dhe të jepet një antidot nëse është e nevojshme.
Për shkaqe të tjera (p.sh. trauma në veshka ose traktin urinar), mund të jetë i nevojshëm operacioni. Në raste kanceri mund të rekomandohet kimioterapia ose radioterapia.